Shqipëria ka përfituar deri tani 64,5 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje (RGF), një mekanizëm i ri i Bashkimit Europian për vendet që synojnë integrimin.
Në mbledhjen e parë të Komitetit të Monitorimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF), që u mbajt në Tiranë, Ministria e Financave bëri të ditur se deri tani Shqipëria ka dorëzuar 41 masa reformash, nga të cilat 38 janë përmbushur me sukses, disa prej tyre edhe përpara afatit të përcaktuar.
“Deri më tani, janë kërkuar për disbursim 204 milionë euro, ndërsa 115 milionë euro të tjera ndodhen në fazë vlerësimi”, bën të ditur Ministria e Financave.
Reformat përfshijnë fusha kyçe si: zhvillimi i sektorit privat, përmirësimi i kapitalit njerëzor, digjitalizimi i shoqërisë, tranzicioni i gjelbër dhe forcimi i sundimit të ligjit.
Me një buxhet total prej 922 milionë eurosh, RGF përfaqëson një gur themeli për zhvillimin institucional dhe ekonomik të vendit, si dhe për avancimin e procesit të integrimit europian.
Një element veçanërisht i rëndësishëm i këtij procesi është përfshirja aktive e shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe botës akademike, duke vendosur një standard të ri të bashkëqeverisjes dhe transparencës në zbatimin e reformave