Në kërkim të diellit dhe pa turma turistësh? Plazhi më pak i mbushur me vizitorë në Evropë tashme është zbuluar – dhe ndodhet në një vend relativisht të panjohur, shkruan Eleanor Noyce në të përditshmen britanike “Metro”.
Plazhi i Durrësit në Shqipëri ofron një hapësirë më të madhe për vendosjen e peshqirave nga plazhistët. Në fund të fundit, nuk ka asgjë më të keqe sesa të ndihesh ngushtë në një vend të mbipopulluar gjatë pushimeve.
Hulumtimi, i kryer nga Wizz Air, analizoi mbi 50 vende evropiane dhe plazhet e tyre më të mira për të përcaktuar vendpushimet më pak dhe më shumë të populluara.
Llogaritja përfshinte matjen e plazhit, ndarjen e zonës së tij me madhësinë e një peshqiri plazhi, dhe më pas me numrin mesatar të vizitorëve ditorë – për të bërë një vlerësim se sa hapësirë ofron çdo plazh për person.
Plazhi i Durrësit – rreth 10,5 kilometra i gjatë – u rendit në vendin e parë – duke mposhtur vende të njohura në Francë, Portugali dhe Spanjë.
I ndjekur nga plazhi Camber Sands në Sussex-in Lindor, Britani e Madhe – i cili la pas plazhet si Praia da Falésia e Portugalisë dhe Playa d’en Bossa të Spanjës – që u renditën respektivisht në vendin e shtatë dhe të dhjetë.
Playa Sa Caleta në Ibiza, Spanjë, rezultoi plazhi më i mbipopulluar.