Vendi ynë në orët e para të mëngjesit dhe mesditës parashikohet që të jetë nën dominimin e kthjellimeve në të gjithë territorin. POR gjatë orëve të pasdites pritet të ketë kalime të lehta të vranësirave në gjysmën Lindore të Shqipërisë, KU më të fokusuara vranësirat do të jenë në zonat JugLindore duke gjeneruar rrebeshe afatshkurta shiu të karakterit lokal. Ndërsa vija bregetare dhe një pjesë e mirë e zonës së ulët do të mbeten nën mbizotërimin e intervaleve të gjata me diell edhe përgjatë pjesë së dytë të ditës.
Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në vlerat minimale dhe maksimale duke u luhatur nga 8°C vlera më e ulët deri në 34°C vlera më e lartë në rang territori.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det duke arritur shpejtësinë 38 km/h nga drejtimi Veriperëndimor; për pasojë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të gjenerohet dallgëzim 2 – 3 ballë.