Pas një javë të ftohtë dhe me reshje shiu e borë, fundjava do të jetë tipike pranverore. Sinoptikanët parashikojnë se moti do të jetë i kthjellët dhe pa reshje shiu. “Moti do të jetë kryesisht i kthjellët, vranësira do të jenë prezente. Herë pas here do ndërrojnë vendin me kthjellimet ku më së shumti vranësira do të jenë në zonat malore. Megjithatë, e shtuna do të ketë vranësira më të shpeshta, krahasuar me të dielën ku vranësira do të jenë dominante në pjesën më të madhe të territorit. Të shtunën rrezikohen disa zona në skajin veri dhe verilindor nga reshje shiu. Megjithatë dhe në këto zona reshjet do të jenë të pakta dhe krejtësisht kalimtare. Dita e dielë do të jetë më e qëndrueshme, do të ketë më shumë diell do të ketë vranësira të lehta dhe kalimtare dhe nuk pritet të ketë reshje”, shprehet Lajda Porja. Përgjatë kësaj fundjave, do të ndryshojë edhe tabloja termike, duke bërë që prej të premtes në pasdite temperaturat të pësojnë rritje. “Fundjava, e shtuna dhe e diela do të sjellë një tjetër rritje të temperaturave mjaft të ndjeshme. Temperaturat do të rriten edhe në mëngjes, duke i bërë mëngjeset më të ngrohta, por edhe në mesditë. Parashikohet gjatë fundjavës termometri të ngjitet në 24 apo 25 gradë. Më në fund ne do të përjetojmë ato temperaturat tipike të Prillit që të paktën përgjatë dy dekadave të fundit i kemi përjetuar”, thotë Porja. Meteorologët thonë se java e ardhshme do jetë e ngrohtë, me temperaturat tipike të stinës dhe nuk priten reshje shiu. Klan News