OKB-ja caktoi 20 majin si Ditën Botërore të Bletës, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e pjalmuesve, kërcënimet me të cilat përballen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm.

Bletët dhe pjalmuesit e tjerë, si fluturat, lakuriqët e natës dhe kolibrat, janë gjithnjë e më shumë nën kërcënim nga aktivitetet njerëzore. Ne të gjithë varemi nga pjalmuesit dhe prandaj është thelbësore të monitorohet rënia e numrit të tyre dhe të ndalohet humbja e biodiversitetit.

Pllenimi është një proces themelor për mbijetesën e ekosistemeve tona. Gati 90% e specieve të bimëve të egra të lulëzuara në botë varen, tërësisht, ose të paktën pjesërisht, nga pllenimi i kafshëve, së bashku me më shumë se 75% të kulturave ushqimore në botë dhe 35% të tokës bujqësore globale. Jo vetëm që pjalmuesit kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë ushqimore, por ata janë çelësi për ruajtjen e biodiversitetit.

OKB-ja bën thirrje të forcohen masat që synojnë mbrojtjen e bletëve dhe pjalmuesve të tjerë, të cilët do të kontribuonin ndjeshëm në zgjidhjen e problemeve që lidhen me furnizimin global të ushqimit dhe eliminimin e urisë në vendet në zhvillim.

Më shumë se 200 000 lloje kafshësh janë pjalmues, shumica dërrmuese e të cilave janë të egra, duke përfshirë fluturat, zogjtë, lakuriqët e natës dhe më shumë se 20 000 lloje bletësh.

Bletët dhe pjalmuesit e tjerë shërbejnë gjithashtu si tregues të shëndetit mjedisor, duke ofruar njohuri për ekosistemet dhe klimën.