Drejtorja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici deklaroi sot se regjistrimi i pronës dhe legalizimi i saj do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, ku do të jenë sistemet e automatizuara që do t’i japin përgjigje qytetarit dhe jo zyrtarët. Gjatë një aktiviteti për prezantimin e kësaj reforme dixhitale, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama, Bici foli për një reformë të thellë dhe të paanshme, për të dale nga një situate, ku sipas saj, u kundërshtua edhe nga zyrtarët e Kadastrës për të mos humbur privilegjet. “Gjeta një institucion shtetëror, një fole abuzimi në ASHK, ku për çdo prone legalizim, apo dokument, zyrtari, specialisti, shefi apo vet drejtori bëhej automatikisht bashkëpronar me hallexhiun që trokiste në zyra dhe në fund kthehej automatikisht bashkpërfitues. Në këtë detyrë prej 4 muajsh, kuptova që isha përballë një ambienti, ku zyrtari nuk pranonte të ndryshonte duke humbur privilegjet”, tha ajo. Bici tha se hapi i pari që duhej të ndërmerrte ishte ishte zhbërja e lidhjes zyrtar-hallexhi. “U përballa me një sistem të pa organizuar prej 3-dekadash, ku gjithkush mund të bënte gjithçka. Duhej një reformë, që zyrtari të mos kishte mundësi të njihte hallexhiun dhe hallexhiu të priste zgjidhjen nga zyrtari i qytetit të tij”, shtoi Bici. Bici theksoi se kishte ndjekur personalisht çdo ankese të ardhur në ASHK këto muaj, jo vetëm për t’u dhënë përgjigje qytetarëve sipas ligjit, por edhe për të kuptuar se ku niste kalbëzimi i sistemit. “U përballa me mendësinë e mbrapshtë të zyrtarëve që paguheshin nga buxheti për tu shërbyer qytetarëve, por në fakt abuzonin dhe pasuroheshin me mjete që shteti ju kishte lënë në dorë, vulën, arkivën dhe pronat”, theksoi Bici. Bici vuri në dukje se pikërisht për shkak të kësaj mënyre të menaxhimit të pronës, kanë ndodhur edhe shumë ngjarje, deri dhe te akte dhune. Në përgjigje të kësaj situate, Bici tha se ka nisur puna për menaxhimin e qendërzuar të arkivës. “ Funksionimi dhe mbrojtja e kësaj arkive do të jetë e njëjtë me atë të një banke. Askush nuk do të mundet të marrë qoftë edhe një fletë nga arkivi pa u regjistruar, apo të manipulojë, qoftë edhe një rresht pa u skanuar. Arkiva fizike do të jetë e paprekshme”, deklaroi ajo. Bici tha se arkiva dixhitale brenda pak muajsh do të ruhet me sistemin blockchain. “Ky sistem parashikohet të nis implementimin brenda këtij viti”, tha ajo. Drejtore e Kadastrës po ashtu informoi se në tre javët e para të punës kishte mbledhur vulat nga çdo drejtori rajonale për të evituar çdo abuzim. “Ndodhte që brenda një institucioni, në të njëjtën zyrë, dy zyrtarë nxirrnin dy urdhra të kundërt.Është bërë një punë e madhe, sidomos për shmangien e zyrtarëve që nxitonin të nxirrnin vendime me vulë në kurriz të qytetarëve”, tha Bici. Bici u shpreh më tej se kishte vetëm një rrugë për të eliminuar këtë sistem, që ajo e cilësoi si sistem agallarësh e pashallarësh. “Rruga e vetme ishte krijimi i një sistemi automatik dixhital në shpërndarjen e praktikave dhe përzgjedhja rastësore përmes një organi inteligjent të aplikimeve që nuk njeh qytet, qytetar e as zyrtar. Zyrtari ka vetëm tre mundësi, të mbarojë procedurën sipas ligjit, të marrë informacion shtesë për dosjen ose të mbyllë aplikacionin. Në këtë rast auditimi vihet në alarm menjëherë”, deklaroi ajo. Nga ana tjetër Bici theksoi se do të nis dixhitalizimi në 3D i të gjithë arkivës, që sot është 2D. atsh
Menaxhim të qendërzuar arkivës së Kadastrës
RELATED ARTICLES