Emigrantët e paligjshëm në vendin tonë bëhen pengesë për të pranuar më shumë të ligjshëm, deklaroi kryeministrja Giorgia Meloni duke folur në Forumin e Migracionit Trans-Mesdhetar në Tripoli.
“Vitet e fundit në Itali nuk kemi mundur të lejojmë shumë emigrantë të ligjshëm të vijnë sepse kemi pasur shumë të paligjshëm”, shpjegoi Meloni.
”Nuk duhet të jenë organizatat kriminale ato që vendosin se kush ka të drejtë të hyjë në vendin tonë dhe kush jo. Qeveria ka miratuar dekrete fluksesh prej tre vitesh, duke zgjeruar kuotat, gjithashtu dhe mbi të gjitha për kombet që na ndihmojnë të luftojmë kundër trafikantëve të qenieve njerëzore”, theksoi Meloni.
“Për qeverine italiane Mesdheu është prioritet dhe nuk mund të ketë Mesdhe pa Italinë dhe Libinë së bashku. Kjo është edhe arsyeja që në këto dy vite kemi përmirësuar shumë bashkëpunimin në fronte të ndryshme”, shtoi ajo.
“Sfidat e kësaj kohe nuk mund të përballen të vetme, përfshirë atë të migrimit. Unë shoh shumë miq këtu kryeministrin e Maltës, kryeministrin e Tunizisë, komisionerin Schinas, të gjithë njerëzit që përpiqen të punojnë së bashku për çështjen e migrimit”, theksoi Meloni.
”Ka njerëz që fitojnë shumë para duke përdorur dëshpërimin e vulnerabël dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë. Këto organizata po bëhen të fuqishme, por nuk u interesojnë të drejtat e njeriut”, deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.