Qeveria ka miratuar koeficientin e indeksimit bazë të vlerësuar të vitit 2022 për llogaritjen e pensioneve, që shërben për rivlerësimin në shtesë të pensioneve.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit informon opinionin publik, se vendimi i miratuar ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022 për llogaritjen e pensioneve, ka për qëllim miratimin e aktualizimit deri në vitin korrent të pagave mbi të cilat janë paguar kontributet në vite, të pagave referuese  të periudhave të sigurimit përpara vitit 1994 të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave si dhe të pagave mbi bazën e  të cilave janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për çdo vit, nga viti 1994 e deri në vitin 2022.

Sipas MEKI, vlera pozitive këtij koeficienti do të shërbejë për rivlerësimin në shtesë, të bazës mesatare të vlerësuar të arritur nga çdo person, gjatë viteve të punës ose aktivitetit ekonomik nëpërmjet kontributeve të paguara nga fillimi dhe deri në datën e ndërprerjes së tyre, për shkak të fillimit të pensionit.

Ministria sqaron se, ky vendim është një procedurë e përvitshme që bën të mundur aktualizimin e pagave të jetës kontributive të personit për efekt të llogaritjes së pensionit fillestar për personat që iu lind e drejta për pension pas miratimit të këtij koeficienti. Këto indekse prekin vetëm atë pjesë të pensionit që emërtohet “shtesë” dhe që përcaktohet bazuar në pagën kontributive dhe kontributet e paguara.

“Ky vendim është i zbatueshëm për pensionet që iu lind e drejta pas datës 1 korrik 2024. Ky koeficient do të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për persona që do të aplikojnë për pensione të reja  duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura në kohë.

Ky koeficient nuk është për indeksimin e pensioneve, por është indeksim për aktualizimin e pagave kontributive, duke i sjellë ato në vlerën e tanishme.

Indeksimi i pensioneve do të realizohet në muajin tetor dhe si indeks do të përdoret indeksi i çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve të pensionistëve”, citon në njoftimin e saj MEKI.