Mekanizmat e rinj për nxitjen e punësimit për personat me aftësi të kufizuar, përmes Fondit Social të Punësimit dhe Garancia Rinore, si një instrument për më shumë formim profesional dhe punësim për të rinjtë, janë thelbi i ndryshimeve ligjore në projektligjin për nxitjen e punësimit për grupet më në nevojë dhe integrimin e tyre në shoqëri. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, foli në Kuvend për ndryshimet ligjore në ligjin “Për nxitjen e punësimit”. “Krijimi i Fondit Social është një instrument i rëndësishëm, i cili shkon në të njëjtin drejtim me reformën që kemi ndërmarrë, sa i përket mbështetjes së personave me aftësi ndryshe, e do të garantojë punësimin e mbi 9000 personave me aftësi të kufizuar”, tha Manastirliu. Manastirliu bëri të ditur se instrumenti i Garancisë Rinore do të ndihmojë për punësimin e të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç. “Do të vlejë për punësimin e të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç dhe do të mbështesë këtu edhe ata anëtarë të familjeve me ndihmë ekonomike, që kanë të rinj që janë pjesë e kësaj skeme, për të mundësuar që qoftë me ndërmjetësimin për punësim nëpërmjet skemës së garancisë rinore, dhe nëpërmjet skemës së kuponit, të rrisin aftësitë profesionale të të rinjve, të cilët janë pjesë e ndihmës ekonomike dhe që kërkojnë një mbështetje të shtuar nga programet sociale”, tha ministrja. Sipas saj, ndryshimet i shërbejnë rritjes së aksesit për grupet vulnerabël dhe një qasjeje të barabartë dhe shanse të barabarta për qytetarët, duke pasur fokusin tek të rinjtë dhe tek personat me aftësi të kufizuar. Me ndryshimet në këtë pr/ligj parashikohet vendosja e kuotave për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, si një praktikë e cila përdoret nga shumë vende të botës, për të përfshirë këta persona në tregun e punës dhe për ti riintegruar në shoqëri. Nga ana tjetër, politika e re e qeverisë për Garancinë Rinore, si pjesë e iniciativës së BE-së në Ballkanin Perëndimor, është një tjetër mundësi për nxitjen e punësimit tek të rinjë dhe posaçërisht tek grupmosha 15-29 vjeç. Dhe ky projektligj, i jep mundësi këtyre të rinjve që të trajtohen me përparësi, duke përfituar oferta punësimi, formimi profesional, arsimimi, mësimi, profesioni në vendin e punës, brenda një periudhe 4-mujore nga data e regjistrimit si punëkërkues të papunë në zyrat e punësimit. atsh