Media britanike “Express” për aeroportin e Vlorës

0
2

Kreu i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka ndarë përmes rrjeteve sociale artikullin e publikuar në median britanike “Express”, të gazetares Alice Scarsi, për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që do të nxisë edhe më tej shtimin e turistëve në vendin tonë. Dredha thekson se Vlora po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga pikëmbërritjet më të lakmuara turistike.

“Për median e huaj, aeroporti i Vlorës, tashmë një realitet gjithnjë e më shembullor e spektakolar i një Shqipërie të etur për zhvillim, do të jetë një kompleks ultramodern, portë e hapur drejt ujërave të kristalta të Jonit për mbi 1 milion turistë që presim mes marsit e dhjetorit të 2025-ës!”, shkruan Dredha. “Vlora me bregdetin saj të mahnitshëm shkëmbor, plazhet e mrekullueshme, ushqimet e shijshme e trashëgiminë e pasur historike e kulturore, po kthehet në një nga pikëmbërritjet më të lakmuara turistike”, përfundon Dredha.