“Medalioni i Hënës”,me vargjet e Ismail Kadaresë

0
11

Në tarracën e Kullës Veneciane është zhvilluar performanca poetike “Medalioni i Hënës”, frymëzuar dhe dedikuar veprës së shkrimtarit Ismail Kadare. “Torra” është mbushur si rrallëherë plot e përplot për të shijuar drejtpërdrejt këtë shfaqje, ku mes spektatorëve të tjerë, ka qenë edhe çifti Kadare. “Unë jam shumë, shumë i gëzuar. Jam ndjerë shumë i lumtur mes jush”, tha mes emocioneve Ismail Kadare. Kjo mbrëmje artistike, në një vend kaq të veçantë ishte ideja e regjisores së Teatrit të Durrësit, Driada Dervishi, për të cilën Durrësi e meriton të marrë vendin që i takon në hartën e aktiviteteve kulturore. Vargjet e Kadaresë kanë ardhur përmes zërave të aktorëve të mirënjohur si Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Xhelal Tafaj, Olta Daku etj. E ftuar ishte edhe këngëtarja Vikena Kamenica, e cila interpretoi nën tingujt e kompozitorëve Haig Zacharian e Endri Sina. “Jam e lumtur që Ismail Kadare rikthehet në Torrën Veneciane, pas dy vitesh që ky monument ishte i mbyllur. Është një pasuri që i ka munguar qytetit. Shpresoj shumë të kthehet në një stacion të bukur për të sjellë këtu gjëra të mira dhe shpresoj që Durrësi të marrë vendin që i takon jo vetëm në hartën gjeografike, por edhe në hartën e kulturës dhe artit”, u shpreh në përfundim të aktivitetit regjisorja Driada Dervishi. atsh