Të dhënat e publikuara sot nga Instituti i Statistikave Kombëtare (INSTAT) tregojnë se në muajin nëntor 2024, 629.845 shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 13,5 %, krahasuar me nëntorin e 2023.
Referuar të dhënave, numri i qytetarëve shqiptarë që dolën jashtë territorit ishte më i lartë se ai i shtetasve të huaj që hynë në territorin tonë.
Statistikat tregojnë se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 604.332. Ky numër është rritur me 10,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se të huajt shpenzuan në vendin tonë gati 4 miliardë euro përgjatë 9-mujorit janar-shtator.
Ndërsa sipas përllogaritjeve, shtetasit shqiptarë në udhëtimet e tyre jashtë shpenzuam 2 miliardë euro gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.
Destinacionet kryesore të qytetarëve shqiptarë janë Italia e Gjermania, të lidhura këto edhe me numrin e lartë të emigrantëve shqiptarë në këto shtete. Ndërsa me rritje paraqiten edhe Turqia, Praga, Franca, apo Spanja.