Gjatë periudhës janar-prill 2025, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 29250 mjete, sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Prej tyre, 81.6% përbëhen nga autovetura, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, regjistrimet janë rritur me plot 104%.

Në raportin zyrtar theksohet se flota shqiptare po rinovohet ndjeshëm, me 4726 mjete të gjeneratës së fundit (0-3 vjet të vjetra) të regjistruara vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, një rritje prej 62% krahasuar me janar-prill 2023.

Sa i përket origjinës së mjeteve të importuara, Republika e Koresë kryeson me 29.3% të totalit, e ndjekur nga Gjermania me 16.5%, Italia me 15.2%, Zvicra me 8%, Kina me 7% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6.8%.

Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe janë kryer 2541 çregjistrime të përhershme, duke shënuar një rritje prej 12% në krahasim me vitin 2024, një tregues se shumë automjete të vjetra po nxirren përfundimisht nga qarkullimi.

Ky trend i rritjes së regjistrimeve dhe rinovimit të flotës është një sinjal pozitiv për përmirësimin e sigurisë rrugore dhe uljen e ndotjes mjedisore në vend.