Berati është një ndër bashkitë që ka pësuar transformim të jashtëzakonshëm falë investimeve të kryera në infrastrukturë, shërbimet për qytetarët, arsim dhe turizëm.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, theksoi se “të gjitha këto investime kanë sjellë përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe rritjen çdo vit e më shumë të numrit të turistëve vendas e të huaj që vizitojnë qytetin tonë, të cilët po i afrohen shifrës prej 1 milion gjatë këtij viti”.
Një ndër projektet me ndikim në turizëm, sipas tij, është rivitalizimi i liqenit të Mbreshtanit.
“Ky liqen do të jetë një atraksion turistik më shumë për turistët, por edhe një vendtakimi me natyrën për çdo qytetar të Beratit”, tha Demo.
“Projekti i rivitalizimit të liqenit të Mbreshtanit është një vlerë e shtuar në ekoturizëm. Ky projekt përfshin shtimin e gjelbërimit dhe pedonalen e re rreth e përqark, për t’i bërë shëtitjet e qytetarëve edhe më të këndshme”, theksoi kryebashkiaku i Beratit, Demo.
Sipas tij, një tjetër projekt ku po punohet është ai i rikonstruksionit të rrugës së Qafë Dardhës si dhe Çezma e Tarikos – Sotirë, që sapo ka filluar.
“Gjatë këtij viti në Berat është bërë i mundur rehabilitimi dhe restaurimi i Qendrës Historike të Beratit, ku përmendim projektin e rehabilitimit të siluetës urbane në Goricë duke krijuar një pedonale fantastike buzë lumit; projektin e urës së Bilçës, një investim që lidh qytetin me fshatin Bilçë dhe shton aksesin drejt siteve të ekoturizmit; projekti i parkut rekreativ ‘Dua të luaj’, i cili bën të mundur krijimin e një hapësire çlodhëse dhe rekreative për aktivitete sportive”, tha Demo.
Kryebashkiaku Demo u shpreh se “një tjetër projekt i rëndësishëm në Berat është ai i sheshit “Teodor Muzaka’’, ku parkimi nëntokësor me 200 vende ka zgjidhur problematikën e parkimit”.
Investime të tjera janë bërë në shndërrimin e sheshit të bashkëjetesës fetare dhe rrugën “Antipatrea”, rehabilitimi i lagjes “Mangalem” dhe sheshit tek Porta e Pashait.
Demo bëri të ditur se “projekti i Tregut të Gjelbër me kapacitet 120 vende, për produktet e fermerëve, do të kthehet edhe në një atraksion për turizmin, pasi do të gjejnë produkte bio nga fshatrat përreth Beratit, të cilat njihen për prodhimet e tyre cilësore”.
Një vëmendje të veçantë, sipas Demos, bashkia e Beratit i ka kushtuar edhe menaxhimit të mbetjeve.
“Është bërë punë parapërgatitore e jashtëzakonshme. Berati aktualisht është një qytet model për sa i takon menaxhimit të mbetjeve. Falë financimit të qeverisë zvicerane, kemi një landfill të certifikuar dhe shumë shpejt do të nisim me ndarjen e mbetjeve në burim”, tha Demo.
Bashkia e Beratit i ka dhënë zgjidhje edhe problemit të ujërave të zeza.
“Prej dy vitesh kemi siguruar furnizimin me 24 orë ujë të pijshëm. Këto janë disa ndërhyrje dhe investime me impakt direkt në turizëm”, theksoi Demo.
Demo bëri të ditur se “në vijim do të nisim edhe zbatimin e dy projekteve që kanë të bëjnë me rrugë aksesi në Kala, rruga ‘Shkëmbi’ dhe rruga që lidh Velabishtin me Goricën, duke përfunduar paketën e investimeve në infrastrukturën rrugore në zonat historike”.