Lajm i keq për ata që flenë pak, por edhe për punëtorët me turne, të cilët janë të detyruar të punojnë natën.
Lejimi i vetes me vetëm pesë orë gjumë në ditë ka efekte negative në shëndetin e zemrës, veçanërisht nëse ato orë janë gjatë ditës, shkruan focus.it.
Në veçanti, sipas një studimi të vogël të kryer në laboratorin e gjumit në Universitetin e Çikagos, gjumi vetëm pesë orë në ditë ndryshon ritmet e rrahjeve të zemrës.
Studimi u krye me 26 të rritur të shëndetshëm, të cilët iu nënshtruan një javë gjumi të reduktuar, me vetëm pesë orë pushim në ditë.
Gjysma flinte gjatë orëve normale, ndërsa gjysma tjetër flinte gjatë ditës, siç ndodh me punëtorët me turne.
Studiuesit matën rregullisht presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës së vullnetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me ndryshimin në intervalet midis një rrahjeje zemre dhe një tjetër dhe nivelet e norepinefrinës, një nga hormonet e stresit, në urinë.
Sipas studimit të publikuar në ‘Hypertension’ presioni i gjakut nuk ndryshoi – ndoshta edhe për shkak të kohëzgjatjes së shkurtër të eksperimentit – por rrahjet e zemrës u rritën te të gjithë vullnetarët.
Grupi që flinte gjatë ditës tregoi ndryshime më të theksuara: nivelet e norepinefrinës ishin më të larta dhe ndryshueshmëria e rrahjeve të zemrës ishte më e ulët gjatë natës, kur ata ishin zgjuar.
”E pra, ky element i fundit konsiderohet një shënues i rritjes së rrezikut kardiovaskular”, shpjegon Daniela Grimaldi nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit ”Northwestern Feinberg”.
Studiuesit janë gjithashtu të shqetësuar nga ajo që panë në fazën normale të gjumit restaurues: tek të gjithë, dhe aq më tepër tek ata që flinin gjatë ditës, ndryshimet fiziologjike që lejojnë një rikuperim të vërtetë nuk hynë në lojë.
Pra nuk mjaftojnë pesë orë, por çfarë mund të bëjnë ata që detyrohen të punojnë natën?
Grimaldi sugjeron që punonjësit e turneve të hanë shëndetshëm, të ushtrohen dhe të flenë sa më shumë që të jetë e mundur për të minimizuar të gjithë faktorët e tjerë që mund të kontribuojnë në rrezikun kardiovaskular