Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë analizës vjetore të zhvillimeve në infrastrukturë dhe energji foli për kërkimet e naftës në Shpirag. Balluku bëri të ditur se është provuar se rezervuari është aty, ndërsa theksoi se synimi dhe dëshira është që të ketë rreth 300 mijë fuçi në ditë, një sasi kjo, e cila për Ballukun mund t’i përgjigjet fondit sovran dhe nevojave të buxhetit të shtetit. Ajo shtoi se më 31 mars do jetë testimi final dhe pas kësaj date do të qartësohet e gjithë situata mbi këtë proces kërkimi. “Faza e testimit ka nisur në dhjetor. Është premtues rezultati i deritanishëm. Shpimi në Shpirag ka qenë i vështirë, sepse flitet për një formacion gëlqeror, pasi gjatë hyrjes është dashur shumë punë dhe tërheqja e sondës jashtë ka qenë sfiduese. Është vërtetuar fakti që kemi hyrë në rezervuar. Rezervuari është aty, me sasitë e parashikuara. Sfida jonë është te rrjedha që duhet ti përgjigjet atyre 100 mijë fuçive në ditë, por ne presim të 300 mijë fuçi, që të kemi ndikim për fondin Sovran dhe buxhetin e shtetit. Më 31 mars do kemi përfundimin e fazave të testimit final dhe një deklaratë publike”, tha ajo. Sa i përket Dumresë, Balluku tha se ka një vonesë prej 2 vitesh dhe kompania ENI është shprehur e sigurt për depozitat në Dumre. Sa i përket Bankers, ministrja theksoi se kompania ka hyrë në vitin e 5 para mbylljes së kontratës. Me reformimin e AKBN-së, theksoi ajo, një nga detyrat kryesore do të jetë ndjekja hap pas hapi e kontratës. “Është detyrim i Bankers që puset dhe zonat të dorëzohen në gjendje funksionale. Kompania është lajmëruar dhe shpresoj të mos kemi problematikë për këtë. Monitorimi do të jetë i detajuar nga ana jonë. Pas përfundimit të koncesionit, puset mudd të qëndrojnë të menazhohen nga vet Albpetrol, por mund të ketë edhe një garë të hapur ndërkombëtare. Do ta vlerësojmë. Në rastin e SGS (kompania e kolaudimit të mjeteve) ishte më e leverdshem për ne ta menaxhonte DPSHTRR”, deklaroi ministrja.
Më 31 mars përfundon faza e testimit në Shpirag
RELATED ARTICLES