Regjistrimet e fëmijëve në çerdhet publike do të nisin të hënën e 3 qershorit, ndërsa në kopshte procedura e aplikimeve do të nisë më 10 qershor. Drejtoresha e çerdheve dhe kopshteve për Tiranën, Zhaneta Beqiri tha sot për mediet se “më 3 qershor në të gjitha çerdhet e Tiranës fillon procedura e aplikimeve për të marrë shërbim nga shtatori dhe në vazhdim. Të gjithë të interesuarit zgjedhin një nga çerdhet e njësisë së tyre. Për sa i përket çerdheve do të kenë një javë afat për aplikim”. Sa i përket regjistrimit në kopsht, Beqiri u shpreh se “për sa ju takon prindërve fëmijët e të cilëve nuk i kanë frekuentuar çerdhet më parë, më 10 qershor paraqiten në kopshte me të njëjtin dokumentacion si në çerdhe për të marrë shërbimin në shtator”. Beqiri sqaroi se cilat dokumente duhet të kenë me vete prindërit në momentin e regjistrimit. “Në momentin e aplikimit prindërit duhet të kenë me vete certifikatën e fëmijës, certifikatën familjare dhe vërtetimet e punës. I kërkojmë vërtetimet e punës sepse fillimisht e marrin të drejtën ata që janë në marrëdhënie pune, por të drejtën për të marrë shërbim e kanë të gjithë. Të gjithë fëmijët kanë nevojë të socializohen. Gjatë vitit edhe në varësi të hapësirave të reja që krijohen në çerdhe, shtojmë dhe numrin e shërbimeve”, nënvizoi Beqiri. Duke qenë se fluksi është i lartë, tha Beqiri, së shpejti do të shtohen kopshtet e çerdhet e reja në dispozicion të fëmijëve. “Për sa u përket çerdheve, janë 2500 kuota të lira. Në 43 çerdhet ekzistuese. Këtyre çerdheve do t’u shtohen dhe 2 çerdhe të reja, në njësinë 13 dhe 12. Rreth 200 fëmijë të rinj që shtohen në shërbim. Janë 2500-3000 mijë fëmijë në kopshte. Bashkia e Tiranës është duke parë mundësinë e marrjes së ambienteve me qira. Nuk mund të pritet 2-3 vite për t’u ndërtuar godina të reja”, tha Beqiri. Çerdhet dhe kopshtet do të jenë të hapura edhe përgjatë gjithë stinës së verës për t’u ardhur në ndihmë të gjithë prindërve.
Më 3 dhe 10 qershor çelen regjistrimet në çerdhe dhe kopshte
RELATED ARTICLES