Shqipëria zotëron masivin më të madh të gështenjave në Ballkan, nga të cilat mbi 2,400 ha ndodhen në Tropojë.
Për të mbrojtur këtë pasuri natyrore dhe ekonomike, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me FAO-n, prej tre vitesh po zbaton programin e kontrollit biologjik kundër grerëzës aziatike të gështenjës, përmes rritjes së insektit të dobishëm në laboratorin e Tropojës dhe lëshimit të tij në Tropojë dhe Malësi e Madhe.
Zv. ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, së bashku me përfaqësues nga FAO dhe subjekte lokale që merren me grumbullimin dhe tregtimin e gështenjës, vizituan laboratorin dhe morën pjesë në lëshimin e radhës së insekteve të dobishëm në masivin e gështenjave të Tropojës.
Kjo nismë synon të mbrojë ekosistemet, të ruajë prodhimin e gështenjës dhe të forcojë ekonominë rurale përmes zgjidhjeve të qëndrueshme.
Mbrojtja e gështenjës nga grerëza galëformuese është direktivë e Komitetit Europian që detyron çdo vend të marrë masat mbrojtëse kundër grerëzës së gështenjës.