Mbretëresha e Anglisë, Elizabeth II është ndarë nga jeta këtë të enjte në moshën 96-vjeçare, pas një mbretërimi 70-vjeçar. Lajmi u bë me dije nga Buckingham Palace, ndërsa vdekja e Mbretëreshës i jep fund mbretërimit më të gjatë në historinë britanike. Mbretëresha Elizabeth II ishte monarkja më jetëgjatë në historinë britanike dhe kryetarja më e vjetër e shtetit në botë. Pas vdekjes së saj, djali dhe trashëgimtari i madh i Mbretëreshës, Charles, ish Princi i Uellsit, është bërë Mbret i Mbretërisë së Bashkuar dhe 14 mbretërive të Komonuelthit. Asnjë detaj zyrtar nuk është dhënë për atë që do të ndodhë gjatë ditëve në vijim, por parashikohet që Mbretëreshës do të përcillet një funeral i plotë shtetëror, siç është tradicionale për të shënuar vdekjen e një monarku. Mbretëresha Elizabeth, ngjitja e papritur në fron Princesha Elizabeth Alexandra Mary lindi në Londër më 21 prill 1926. Në atë kohë, askush nuk priste që ajo të ishte mbretëreshë pasi ishte e treta në radhën e fronit pas xhaxhait dhe babait të saj. Gjatë mbretërimit të saj rekord, ajo ia kushtoi jetën shërbimit të vendit të saj dhe Commonwealth. Në një fjalim në radio në vitin 1947, në ditëlindjen e saj të 21-të, ajo tha: “Unë deklaroj para jush se e gjithë jeta ime, qoftë e gjatë apo e shkurtër, do t’i kushtohet shërbimit tuaj dhe shërbimit të familjes sonë të madhe perandorake, të cilës ne të gjithë i përkasin.” Princesha Elizabeth u bë mbretëreshë në vitin 1952 në moshën 25-vjeçare, kur babai i saj, Mbreti George VI, vdiq. Kurorëzimi i saj u bë 16 muaj më vonë në Westminster Abbey. Mbretëresha mbante një sërë titujsh të tjerë, të cilët tani do t’i kalojnë automatikisht djalit dhe trashëgimtarit të saj. Ajo ishte kryetarja e Komonuelthit, komandante e përgjithshme e Forcave të Armatosura Britanike dhe guvernatorja supreme e Kishës së Anglisë. Një mbretërim rekord Mbretëresha Elizabeth ka mandatuar 15 kryeministra të ndryshëm britanikë, nga Sir Winston Churchill te Liz Truss. Ajo ishte më e vizituar se çdo lider tjetër ndërkombëtar dhe kryetarja më e vjetër e shtetit në botë. Në vitin 2015, ajo u bë gjithashtu monarkja britanike më jetëgjatë në histori, duke kaluar rekordin e vendosur nga stër-stërgjyshja e saj, Mbretëresha Victoria. Mbretëresha Elizabeth II konsiderohej gjerësisht si një simbol i stabilitetit. Çfarë ndodh tani Pas vdekjes së Mbretëreshës, Princi Charles është bërë menjëherë monarku i ri. Një periudhë zie kombëtare ka nisur dhe pritet të zgjasë deri në varrimin, i cili pritet të bëhet pas 10 ditësh. Trupi i saj do të zhvendoset në Pallatin Buckingham, ku ka të ngjarë të qëndrojë për pesë ditë.https://lajme.rtsh.al/artikull/mbreteroi-per-70-vite-ndahet-nga-jeta-ne-moshen-96-vjecare-mbreteresha-e-anglise-elizabeth-ii