Në koncert u interpretuan “Vallja e Rexhës”, për të vijuar me “Dueti i Tiranës”, vallja “Nën hijen e mollës”, “Vallja e Logut”, “Vallja e Çobanit”, atë me motive çame, kolazh i veriut e të tjera, si dhe me korale e këngë, si “Trëndafilin kur ta dhashë”, “Kur perëndon dielli” e shumë të tjera.
“Sot Lili Cingu ishte po ajo shtojzovalle e bukur që vuloste historinë e artit shqiptar me gjerdanin e artë në Dijon të Francës. Sot Lili soditi në luginat e gjelbra me çobanin e saj dhe mbushi ujë në burimin çam, teksa hodhi valle me sorkadhet e saj. Sepse artistët janë të bekuar, largohen fizikisht, por jetojnë në vepra përjetësisht. “Nderi i Kombit”, Lili Cingu, i ngriti zemrat peshë dhe sot në skenën e teatrit të saj”, theksohet në një postim në rrjetet sociale nga TKOBAP.
Valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Lili Cingu, u nda nga jeta më 5 shkurt të këtij viti, në moshën 74-vjeçare, pas betejës me një sëmundje të rëndë.
Lili Cingu lindi në Tiranë më 31 dhjetor 1950. Në vitin 1967, ajo u pranua si valltare profesioniste pranë Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në fillim interpretoi si valltare e thjeshtë në grupin e valleve në vallet “Vallja e maleve”, “Vallja e tërkuzës” etj. Që nga viti 1969, pas një turneu në Turqi, ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle, nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, “Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.
Gjatë trazirave në Shqipëri, në ’97-ën, Cingu u zhvendos për disa vjet në Kanada, por edhe jashtë vendit, (gjithashtu u angazhua me vallen në Amerikë) ajo çoi bukurinë e valleve shqipe, duke punuar me të rinj të talentuar.
E konsideruar si “mbretëresha e valleve”, Cingu ishte gjithashtu një zë kritik, për investimin e nevojshëm tek artistët e Ansamblit, me shqetësimin që të përçohej tradita e vendit tonë dhe angazhimin për t’u trashëguar brezave vallen e bukur shqipe.