Komiteti i Mbrojtjes Civile është mbledhur për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga reshjet me intensitet të lartë, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë, ku rreziku për përmbytje është edhe më i lartë, por edhe në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier gjatë orëve të fundit në vend. Në një postim në Facebook, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shkruan se së bashku me kryetarët e bashkive rakorduan planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës në orët në vijim. Peleshi theksoi se Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për çdo nevojë të pushtetit vendor dhe qytetarëve. “Me kryetarët e bashkive dhe Prefektët e këtyre qarqeve rakorduam planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës edhe në orët në vijim, që sipas parashikimit të motit do të jenë me reshje të shumta. Jemi çdo minutë në monitorim të situatës. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për çdo nevojë të pushtetit vendor dhe qytetarëve”, shkruan Peleshi. Më herët, ministri Niko Peleshi informoi për situatën, pasi reshjet intensive të shiut kanë përfshirë vendin. Peleshi thotë se janë shënuar disa sipërfaqje të përmbytura në qarkun e Lezhës, si edhe ndërprerje të energjisë elekrike në Vaun e Dejes. “Sipas të dhënave nga qendra kombëtare operacionale e Emergjencave Civile, në qarkun e Lezhës në zonën Kurbin ka rënë rreth 15 mm shi, në zonën e Lezhës, 20 mm shi, në zonën e Zadrimës 131 mm, ku ka edhe disa sipërfaqja të përmbytura në këto zona. Në ish-kënetën Torovicë ku punon Hidrovori i Balldrenit ka rreth 500 ha të përmbytura. Në qarkun e Shkodrës ka rënë 190 mm shi. Në Kukës ka pasur 4 mm shi. Në Fushë-Arrëz, raportohen dëmtime të rrugëve rurale dhe shkëputje te energjisë elektrike. Në Vaun e Dejës situata është pak më problematike, kanë dalë nga shtrati lumi Gjadër dhe Përroi Glinë. Është ndërprerë energjia elektrike. Në bashkinë Malësi e Madhe ka dalë nga shtrati përroi i Thatë në fshatin Kamicë. Po vijon puna për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga përmbytjet”, bëri të ditur Peleshi.https://lajme.rtsh.al/artikull/moti-i-keq-mblidhet-komiteti-i-mbrojtjes-civile-peleshi-ne-gatishmeri-per-menaxhimin-e-situates