Sipas statistikave zyrtare, në platformën “e-Albania” gjatë muajit shtator, janë kryer më shumë se 820 mijë aplikime në pesë shërbimet më të përdorura.

Nga këto, 295 mijë janë për certifikatë personale, mbi 239 mijë për certifikatë familjare, vërtetim për pagesën e kontributeve për individin janë rreth 130 mijë, kontributet për sigurimet shoqërore llogariten në 81.363 aplikime dhe mbi 77 mijë për vërtetim page.

Shërbimet në “e-Albania” për qytetarët dhe bizneset kanë siguruar një proces modern, të standardizuar dhe të sigurt, duke shmangur burokracitë dhe kontaktet fizike me sportelet.

Dokumentet zyrtare që gjenerohen në përfundim të aplikimit janë të pajisura me vulë elektronike, çka i bën ato të vlefshme dhe të verifikueshme nga çdo institucion publik apo privat.

Digjitalizimi i shërbimeve në platformën “e-Albania” vjen si një hap efikas dhe në përputhje me standardet evropiane për çdo qytetar apo biznes.