Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të paketës anti-krizë, ka deklaruar se familjet të cilat do konsumojnë më shumë se 800 kWh do paguajnë me çmimin e tregut. Synimi i qeverisë, theksoi Rama, është krijimi i presionit për të ulur konsumin e tepërt të energjisë elektrike në kohë krize. Teksa u ndal te kriza energjetike që ka prekur mbarë botën, Kryeministri tha se Shqipëria nuk do të përballet me masa drastike. “Nëse ky është një vendim ambicoz apo i çmendur dhe me pasoja këtë do e tregojë koha. Duhet t’i mbrojmë konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla nga rritja e çmimit të energjisë. Kjo mbrojtje deri tani rezulton arsyeja themelore pse kemi inflacionin më të ulët në rajon. Ka një POR shumë të madh. Nisur nga analiza e gjithë fashave të konsumatorëve, kemi 90% konsumatorë familjarë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe një numër konsumatorësh rreth 6-7% të totalit që konsumojnë më shumë se 800 kWh. Për të cilët ka ardhur koha që s’mund të paguajnë më taksapaguesit e zakonshëm. Prandaj çdo kilovat mbi 800 do paguhet me çmimin e tregut. Synojmë të krijojmë një presion për të ulur konsumin e tepërt të energjisë elektrike në kushte krize. Jetojmë në një kohë kur vendet më të pasura po marrin masa drastike të paimagjinueshme që lidhen me penalitete deri dhe surreale. Sot lexova që Zvica ka vendosur penalitetin e 3 viteve burg për ata që ngrohin më shumë se 19 gradë shtëpinë e tyre. Gjermania ka paraqitur planin për fikjen e dritave në të gjitha rrugët, bizneset pas orës 10:00 të darkës. Ne nuk kemi një plan të tillë shkurtimesh drastike, Por kjo s’do të thotë që s’kemi nevojë të kursejmë energjinë. Ata të cilët vazhdojnë me këmbëngulje të vazhdojnë se jemi ndryshe nga e gjithë bota se ne energjia na vjen nga qielli, po flasin pa kuptim”, tha Rama. Rritja e kapaciteteve prodhuese dhe transformimi i Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë është synimi i qeverisë. Rama tha se për momentin Shqipëria aktualisht është tërësisht e varur nga tregu. “Shqipëria edhe në vitin e vet më të mirë përsa i përket reshjeve, që është një vit që s’po na vjen prej 4 vitesh nuk e prodhon dot të tërë energjinë që i duhet edhe në vitin më të mirë. Në vitin më të mirë Shqipëria duhet të dalë në treg dhe duhet të importojnë dhe paguan me çmimet marramendëse të tregut. Ky është fakt. Rritja e kapaciteteve prodhuese, transformimi i Shqipërisë në eksportuese neto brenda vitit 2030 është synimi ynë. Për momentin jemi tërësisht të varur nga tregu. Sforcoja që po bëjmë dhe paratë që po vëmë në dispozicion për të mbrojtur konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla, është e jashtëzakonshme. Në totalin e vet, çfarë ju tregova sot është një mbështetje financiare në kohë krize për përballimin e efekteve të kësaj krize afro gjysmë miliardi”, tha Rama. Çmimi i energjisë do të jetë 42 lekë kilovati për të gjithë ato që shpenzojnë mbi 800 kWh “Duke vendosur fashën 800 kilovat ne do të kursejmë 100 milionë euro deri në dhjetor 2023, dhe presim të ulim me 2% konsumin e energjisë. 35 lekë është çmimi plus 7 lekë tarifa e shpërndarjes dhe në total shkon 42 lekë kilovati. Pra për çdo kilovat mbi 800 kilovat do të paguhet 42 lekë. Në 31 dhjetor do të vendoset çmimi i ri për fashën”, tha Balluku.https://lajme.rtsh.al/artikull/kriza-energjetike-rama-asnje-plan-masash-drastike-per-qytetaret-kush-harxhon-mbi-800-kwh-do-paguaje-me-cmim-tregu