Ulja e pragut të të ardhurave dhe detyrimi për deklarim për individët e dypunësuar ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të qytetarëve që kanë dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2024.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 124,416 individë që kanë dorëzuar DIVA-n, nga të cilët rreth 58,500 janë deklarues të rinj, në krahasim me vitin 2023 kur u deklaruan 65,910 individë.

Kjo rritje lidhet me ndryshimet në ligj që ulën pragun e të ardhurave vjetore nga 2 milionë lekë në 1,2 milionë lekë, duke zgjeruar kategorinë e individëve që kanë detyrimin për të dorëzuar deklaratën.

Gjithashtu, individët e dypunësuar, pavarësisht nivelit të të ardhurave, kanë vijuar të mbeten subjekt i detyrimit për plotësimin dhe dorëzimin e DIVA-s.

Një tjetër ndryshim për vitin 2024 ishte afati i dorëzimit, i cili u afrua nga 30 prill në 31 mars, duke shtuar presionin për përmbushjen e detyrimit në kohë.

Megjithatë, nga 143,369 individë që kishin detyrim për dorëzimin e DIVA për vitin 2024, rreth 19 mijë nuk e përmbushën atë brenda afatit ligjor dhe për këtë arsye do të penalizohen me gjobë prej 3,000 lekësh.

Administrata tatimore nxit të gjithë individët që përfshihen në detyrimin për deklarim, të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e afateve dhe korrektësinë e të dhënave të raportuara