Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se deri tani kanë dorëzuar pasqyrat financiare dhe raportet e auditit 17 479 biznese. Data 31 korrik është edhe afati i fundit për bizneset për dorëzimin e pasqyrave financiare vjetore. Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) u rikujtoi bizneseve se u kanë mbetur edhe vetëm 19 ditë kohë për regjistrimin dhe depozitimin e pasqyrave financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit. Në të kundërt, ligji parashikon aplikimin e sanksionit administrativ gjobë prej 15 mijë lekësh. Pavarësisht formës së tyre ligjore, depozitimin e akteve të mësipërme duhet ta kryejë çdo subjekt i regjistruar në Regjistrin Tregtar, kur këto subjekte kanë detyrimin e hartimit të tyre. Shërbimi online “Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj)” mund të përdoret nga të gjitha subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj në e-Albania. atsh