Në mbledhjen radhës së KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar te Subjekteve Politike, Besnik Buzhala njoftoi sot se KQZ-ja ka pranuar deklarimin e një koalicioni mes dy partive politike Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli.
Buzhala shtoi se sipas ligjit partitë e regjistruara që duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit kanë afatin e fundit deri më 30 gusht ta njoftojnë KQZ.
Përveç kësaj, në mbledhje u theksua se partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.
Aty u tha se deri më tani, partitë politike të regjistruara, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani tha se lista preliminare e votuesve përmban 2 milionë e 47 mijë e 148 votues, pra 161 mijë e 700 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale 2021, të mbajtura me datë 17 tetor 2021.
Ai theksoi se numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës është 209 mijë e 878 votues, prej të cilëve 124 mijë 366 votues mund të konsiderohen si votues të rinj që pas Zgjedhjeve Lokale, të mbajtura në datën 17.10.2021.
Përveç kësaj, në mbledhje u theksua se 85 mijë e 512 votues mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, pra votuesit që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës, votuesit e regjistruar për votim jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021 dhe shtetas të cilët posedojnë certifikata të Republikës së Kosovës nga ekstrakti i DGJC.
Gjithashtu, Elshani tha se qendrat e votimit jashtë Kosovës dhe numri maksimal i votuesve nuk ka listë, pasi Ministria e Punëve të Jashtme është vonuar në dërgimin e saj.