Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit arritën në 24,2 miliardë lekë, ose 10,17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Paralelisht, numri i kontratave të sigurimit të lidhura u rrit me 4,69%, duke arritur në 1,506,529 kontrata, çka tregon një zgjerim të bazës së klientëve dhe rritje të kërkesës për produkte sigurimi.

Struktura e tregut mbetet e dominuar nga sigurimet e Jo-Jetës, të cilat përbëjnë 91,54% të totalit të primeve të shkruara bruto. Sigurimet e Jetës zënë 8,43% të tregut, ndërsa risigurimi mbetet në nivele minimale me 0,028%. Këto të dhëna konfirmojnë orientimin tradicional të tregut shqiptar drejt sigurimeve Jo-Jetë, veçanërisht atyre motorike.

Nga këndvështrimi i ndarjes sipas llojit të sigurimit, primet e sigurimit të detyrueshëm vijojnë të kenë peshën kryesore në treg, duke zënë 62,42% të totalit, ndërsa sigurimet vullnetare përbëjnë 37,58%.

Në anën tjetër, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve gjatë janar-nëntor 2025 arritën në rreth 7,4 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 3,61% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik, që përbëjnë pjesën më të madhe të dëmeve totale, kapën vlerën 5,7 miliardëë lekë, me një rritje të lehtë prej 0,31% në krahasim me një vit më parë.