Qeveria ofron mbështetje financiare për individët dhe subjektet që duan të zhvillojnë projekte në fushën e turizmit. Udhëzimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, i botuar në Fletoren Zyrtare, parashtron kriteret dhe afatet në lidhje me kërkesë-propozimet për të përfituar mbështetje financiare në masën 100% për projektet në fushën e turizmit. Sipas udhëzimit, për të përfituar financim aplikimet duhet të jenë në përputhje me parimet e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në vend; të promovojnë industrinë e turizmit për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës; të promovojnë produktet dhe destinacionet turistike, vlerat e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit në përputhje me kalendarin turistik të aktiviteteve zbavitëse; të nxisin edukimin profesional të burimeve njerëzore të subjekteve që zhvillojnë veprimtari në fushën e turizmit, në funksion të rritjes së cilësisë dhe përmirësimin e shërbimit; të ndikojnë në digjitalizimin e industrisë së turizmit për të rritur efikasitetin e përpjekjeve për zhvillim të produkteve dhe shërbimeve inovative; si dhe të përmirësojnë kornizën e studimeve apo të modeleve të produkteve turistike. Për të përfituar, aplikantët duhet të jenë të regjistruar si biznes sipas legjislacionit në fuqi, të kenë eksperiencë në fushën e turizmit, të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, të mos kenë detyrime tatimore të pashlyera si dhe të kenë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Udhëzimi parashtron se, kërkesë propozimet mund të paraqiten përgjatë gjithë vitit buxhetor, dhe pas shqyrtimit dhe miratimit të tyre, pagesat e përfituara nga fondi buxhetor do të kryhen 60% e vlerës, të paktën 5 ditë përpara fillimit të projektit dhe 40% e vlerës në përfundim të projektit, kundrejt dokumenteve që vërtetojnë zhvillimin dhe shpenzimet e kryera në shërbim të tij.