Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përmes skemës për mbështetjen e kultivimit të grurit, do të financojë fermerët me 30.000 lekë për çdo hektar të mbjellë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha se “objektivi ynë është që i gjithë buxheti të shkojë për grurin në 16.700 ha sipërfaqe të mbjellë”. Sipas saj, ekipet po bëjnë verifikimin në terren dhe fondi prej 500 milionë lekësh do të alokohet për grurin dhe nuk do digjet asnjë cent. “Aplikimi ka qënë me vetëdeklarim. Ata janë treguar mjaftueshëm bujarë që do mbjellin më shumë sipërfaqe. Po ne enkas kemi parashikuar dhe po bëjmë verifikim në terren. Nuk mund të ketë abuzim sepse sipërfaqja do të matet. Edhe nese ka deklaruar më shumë, do paguhet për aq sa është mbjellja faktike”, tha ministrja. Ndërkohë AZHBR njoftoi se fermerët duhet të dorëzojnë pranë agropikave dokumentet e pronësisë për tokën bujqësore në përdorim apo qira deri në datën 16 dhjetor 2022. Gjithashtu, fermerët duhet të dorëzojnë dokumentet për numrin e llogarisë bankare dhe faturat e fiskalizuara për blerjen e materialit mbjellës dhe plehun kimik. Nuk pranohet asnjë dokument jashtë kësaj date, njoftoi AZHBR. Këtë vit janë mbështetur rreth 42 mijë fermerë, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Skema e grurit parashikon një përftim prej 30 mijë lekë, për çdo hektar të mbjellë.https://ata.gov.al/2022/12/12/mbeshtetja-per-grurin-kerkohen-2-dokumente-deri-me-16-dhjetor/
Mbështetja për grurin,2 dokumente deri më 16 dhjetor
RELATED ARTICLES