Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të aplikojnë për letërnjoftim elektronik, ose për pasaportë biometrike, pa qenë më e nevojshme të pajisen detyrimisht me të dy dokumentet njëkohësisht.
Njoftimin e dha sot Ministria e Brendshme, e cila bëri të ditur se, nisma ka qëllim thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e qytetarëve, që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë.
Ndryshimi vjen edhe si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme të diasporës shqiptare, për të lehtësuar aksesin në dokumentet e nevojshme për ta, si dhe për të ulur kostot e përfshira në procesin e aplikimit.
Ministria e Brendshme, thekson se, përmes kompanisë shtetërore IdentiTek SHA, mbetet e përkushtuar të vijojë përmirësimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo që ndodhen, e të sigurojë akses të barabartë dhe të thjeshtë për të marrë dokumentet e nevojshme.
Gjithashtu, MB fton të gjithë qytetarët e interesuar të vizitojnë përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë për më shumë informacion e për të kryer aplikimet për letërnjoftim elektronik.