Në Maturën Shtetërore 2023 do të bëhet për herë të parë hartimi i testeve të veçanta për maturantët me aftësi ndryshe. Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në prezantimin e rezultateve dhe analizën e Maturës Shtetërore 2022. Në fjalën e saj, Kushi theksoi se “ka qenë një shqetësim i hershëm i prindërve dhe nxënësve ku maturantët me aftësi ndryshe i nënshtroheshin të njëjtit test si maturantët e tjerë. 90% e nxënësve me aftësi ndryshe mësojnë në shkolla normale, vetëm 10% e nxënësve që janë në një shkallë vështirësie më të lartë mësojnë në shkollat speciale apo në Institutin e Nxënësve që nuk dëgjojnë apo që nuk shikojnë”. “Këtë vit i kemi kërkuar Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe shumë shpejt ajo do të hartojë teste të veçanta të një shkalle vështirësie më të lehtë për maturantë që konstatohen me aftësi ndryshe, sipas një komisioni të veçantë”, tha Kushi. Duke folur për vlerësimin e testeve, Kushi tha se nëse maturanti merr vlerësimin e testit në e-Albania dhe konstaton që ka një problematikë do t’i drejtohet shkollës, ku një komision i ngritur nga drejtori i shkollës dhe dy mësues të lëndës do e vlerësojnë testin dhe pyetjen ku ka kontestime dhe nëse ata vërtetojnë se ka problematikë, testi do t’i dërgohet Qendrës së Shërbimeve Arsimore ankimimi nga shkolla, e firmosur dhe e vulosur nga shkolla me bar kod do të bëhet edhe rivlerësimi i testit”. Kushi tha se “administrimi i maturës ka diferenca mes mesatares vjetore edhe notës në Maturën Shtetërore. Kjo tregon që procesi i administrimit në atë zonë, në atë klasë ka dështuar kështu që masa e parë është zhvillimi në mjedise të mëdha ku të gjithë janë të monitoruar”. Ministrja Kushi bëri të ditur se një tjetër risi do të jetë provimi i dixhitalizuar për të gjithë maturantët, që dëshirojnë të studiojnë për Mjekësi të Përgjithshme. “Kanë qenë 3 mijë maturantë që aplikojnë për mjekësi të përgjithshme, provimi do të zhvillohet brenda 10 ditëve. Në këtë mënyrë garantohet meritokraci dhe transparencë maksimale për këtë kategori maturantësh, që janë më të mirët”, tha Kushi. Ministrja Kushi bëri të ditur se “po ashtu një kërkesë nga maturantët dhe mësuesit është heqja e fletëpërgjigjes se shkaktonte konfuzion edhe te maturantët, por ndonjëherë edhe ngatërresa në korrigjime për të bërë përputhje mes pikëve të korrigjuara nga mësuesi dhe nga skaneri”. “Fletëpërgjigja nuk do të jetë më dhe rrisim garancinë që cilësia e korrigjimit do të jetë më e lartë”, tha Kushi. ATSH
Matura Shtetërore 2023: Teste të veçanta për nxënësit me aftësi ndryshe
RELATED ARTICLES