Në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” janë drejt përfundimit punimet për transformimin e tij.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamje nga punimet e fundit që po kryhen në këtë maternitet.

“Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, po rilind falë një investimi të madh të qeverisë. Së shpejti hapet krahu modern me: 360 shtretër, 7 salla operacioni & 6 lindjeje, terapi intensive të dyfishuar, urgjencë dhe triazh modern, shërbim i ri për prematurët dhe shtatzënitë e rrezikuara”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu informoi se “20 mijë paciente në vit do të kenë një maternitet të standardeve europiane, me kushte dhe teknologji të fjalës së fundit”.

Projekti për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” përfshiu tre plane: ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; rikonstruksioni i plotë i godinës historike, që ka ruajtur detajet e arkitekturës unike në fasadën e saj, por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine, si dhe zgjerimi i objektit ekzistues të Obstetrikës.

Në këtë kantier të madh prej mbi 6 mijë metrash katrorë, pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.