Eksportuesit shqiptarë do të kenë mundësinë të lidhen me tregjet ndërkombëtare në takimin e organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) të quajtur “Match Maker Albania 2025”.
“Kjo ngjarje është një mundësi e jashtëzakonshme për të lidhur eksportuesit shqiptarë me tregjet ndërkombëtare, për të prezantuar investime vendase dhe të huaja në Shqipëri, për të shfaqur potencialin e vendit tonë dhe për të krijuar bashkëpunime të reja me kompani globale”, bën të ditur sot AIDA.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për zhvillimin e bizneseve do të bashkohen në një vend 500 investitorë ndërkombëtarë, 200 investitorë shqiptarë, 30 eksportues shqiptarë. Do të jenë 20 shtete të përfaqësuara nga institucione dhe biznese dhe do të jenë 30 projekte private dhe shtetërore për të investuar.
Pjesëmarrja e eksportuesve shqiptarë në “Match-Maker Albania 2025” paraqet një mundësi të shkëlqyer për zgjerimin e tregjeve dhe krijimin e lidhjeve strategjike me blerës dhe partnerë ndërkombëtarë. Përmes takimeve B2B të strukturuara, bizneset eksportuese do të kenë mundësinë të prezantojnë produktet dhe bizneset e tyre përballë një audience të përzgjedhur investitorësh dhe biznesesh të huaja, duke forcuar praninë e tyre në tregjet globale dhe duke kontribuar në rritjen e eksporteve shqiptare.
Takimi, i cili do të mbahet më 27 mars, në Tiranë, mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Enterprise Europe Network Albania.