Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, përmes së cilës Administrata Tatimore siguron akses në kohë reale në të dhënat mbi mjetet që zotërojnë tatimpaguesit.
Sipas Administratës Tatimore, ky bashkëpunim synon rritjen e efikasitetit në zbatimin e detyrimeve ligjore dhe mbledhjen me forcë të borxheve tatimore në raste të mospërmbushjes vullnetare.
“Të gjithë tatimpaguesit duhet të përmbushin në afat të gjitha detyrimet tatimore, në të kundërt Administrata Tatimore do të vendosë masa të sigurimit mbi mjetet dhe do të zbatojë të gjitha procedurat e mbledhjes me forcë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin pasojat ligjore duke përmbushur me korrektësi detyrimet e tyre financiare ndaj shtetit. Gjithashtu, paralajmëron për rrezikun e përfshirjes në transaksione të paligjshme që lidhen me mjetet e tatimpaguesve debitorë.
“Çdo subjekt që hyn në transaksione shitblerje të mjeteve, duhet të sigurohet që mjetet objekt transaksioni nuk i përkasin tatimpaguesve debitorë. Çdo akt i nënshkruar në keqbesim me qëllim shmangien e detyrimeve do të sjellë pasoja ligjore për pavlefshmëri”, thekson Administrata Tatimore.
Ky zhvillim synon transparencë më të madhe dhe forcimin e zbatimit të ligjit në fushën tatimore dhe atë të pronësisë së mjeteve rrugore, duke garantuar një administrim më të drejtë dhe efikas të detyrimeve tatimore në vend.