Me qëllim forcimin e kontrollit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e efikasitetit në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Ndryshimet përfshijnë përmirësime procedurale për projektet TIP në zonat rurale, duke i dhënë autoriteteve vendore të drejtën për të miratuar leje ndërtimi për objekte private njëfamiljare.

Gjithashtu, përcaktohen afate të qarta për pagesën e tarifave për leje zhvillimi, ndryshime projekti, shtyrje afati dhe certifikata përdorimi, duke parashikuar refuzimin automatik të kërkesës në rast mospagese brenda 15 ditëve nga njoftimi.

Rregullorja ndalon dhënien e lejeve të ndërtimit në pasuri private të parashikuara për hapësira publike apo të ngarkuara me servitut publik, si dhe vendos kufizime për rrethime ose mjete të tjera që pengojnë aksesin në këto zona.

“Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga autoritetet e zhvillimit për pasuritë private, të cilat kanë qenë pjesë e kufirit të zhvillimit dhe të destinuara për hapësira publike, si sheshe, parqe etj. Gjithashtu, nuk lejohet vendosja e rrethimeve, trarëve ose çdo mjeti kufizues në prona të ngarkuara me servitut publik, edhe nëse ky servitut nuk është i regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme”, thuhet në vendim.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu mundësinë e ndryshimit të subjektit zhvillues dhe të transferimit të lejes së ndërtimit, bazuar në dokumentacion të detajuar dhe pagesën e tarifave përkatëse.