Nëpërmjet Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve deri tani janë trajnuar 8840 mësues.

Ministria e Arsimit dhe Sportit bëri të ditur sot në një postim në rrjetet sociale se vijon trajnimi për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në lëndët Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Histori, Gjeografi dhe Arsimi Fillor.

“Trajnimi i mësuesve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është mbështetur nga 7 universitete publike, ku janë përfshirë 200 pedagogë e trajnues të kualifikuar nga këto universitete, me synim njohjen e mësuesve me metodat inovatore dhe efektive të mësimdhënies”, theksoi MAS.

Vetëm gjatë vitit 2024, u trajnuan mbi 13 mijë mësues për modulin e parë dhe rreth 6 mijë mësues për modulin e dytë, ndërsa këtë vit pritet të përfshihen rreth 20 mijë mësues në trajnime që mbulojnë lëndët Gjuhë Shqipe, Matematikë, Shkenca të Natyrës, si dhe mësues të arsimit fillor për përgatitjen në testimet ndërkombëtare PISA dhe PIRLS.

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional është një nismë e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), institucionet vendore dhe 7 universitetet publike të vendit.