Mbrojtja e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit, ishte në fokus të marrëveshjes së nënshkruar sot nga Ministria e Brendshme me institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile. Marrëveshja, e cila rishikon funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit të Personave, u nënshkrua nga zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko. “Sot me kolegët zv/ministra, Kreun e Prezencës së OSBE në Tiranë, Bruce Berton dhe partnerë nga shoqëria civile në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit të Personave”, shkruan Kuko në rrjetet sociale, ndërsa publikon foto nga aktiviteti i organizuar në Tiranë. Ministria e Brendshme, nga ana tjetër njofton në rrjetet sociale, se ka udhëhequr procesin e rishikimit të marrëveshjes “Për funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit të Personave”. “E vendosur dhe vullnetplotë në zbatim të Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ka drejtuar procesin e rishikimit të Marrëveshjes “Për funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit të Personave”, duke e finalizuar sot me nënshkrimin e saj nga institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile”, njofton Ministria e Brendshme. “Fokusi kryesor i kësaj marrëveshjeje është viktima dhe mbrojtja e saj, duke shqyrtuar çdo situatë rast pas rasti, si dhe duke konsoliduar disa standarde ndërkombëtare për mënyrën sesi zhvillohet i gjithë procesi i identifikimit, referimit dhe më pas, i mbrojtjes së viktimës së trafikimit”, vijon njoftimi. “Eksperienca e vyer e agjencive që sot firmosin këtë Marrëveshje, ka qenë pa dyshim një aset për hartimin e këtij dokumenti, i cili i përmbush të gjitha standardet e kërkuara në drejtim të respektimit të të drejtave të viktimës, duke synuar fuqizimin, respektimin e dinjitetit njerëzor dhe rikthimin e besimit të viktimës tek vetvetja dhe tek vlerat njerëzore. Aktore të rëndësishëm i shtohen kësaj marrëveshje si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë me strukturat e tyre. Ky proces u mbështet me ekspertizë teknike, nga partneri strategjik i Ministrisë së Brendshme, OSBE”, përfundon Ministria e Brendshme. Marrëveshja e re e nënshkruar të hënën përfshin më shumë aktorë dhe krijon hapësirat e nevojshme për mirëfunksionimin e të gjitha hallkave të mekanizmit të referimit, me qëllim mbrojtjen e viktimave të trafikimit, si dhe parandalimin e trafikimit të subjekteve vulnerabël përballë këtij fenomeni. atsh