Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për institucionalizimin e programit SCORE, një nismë që synon rritjen e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe zbatimin e praktikave të përgjegjshme të biznesit në ndërmarrjet shqiptare, veçanërisht në sektorët e tekstilit dhe këpucëve.

Që prej fillimit të zbatimit në vitin 2023, programi SCORE ka mbështetur rreth 30 ndërmarrje, duke përmirësuar kushtet e punës për më shumë se 3,700 punonjës. Rezultatet e deritanishme përfshijnë: rritje të bashkëpunimit mes drejtuesve dhe punonjësve, standarde më të larta sigurie dhe higjiene në vendin e punës, si dhe rritje të produktivitetit përmes praktikave të punës së denjë (DecentWork).

Në bazë të marrëveshjes së re, AIDA do të udhëheqë zbatimin e programit SCORE në nivel kombëtar, ndërsa ILO do të vijojë ta mbështesë teknikisht dhe institucionalisht deri në vitin 2027.

Programi pritet të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë, rritjen e bashkëpunimit mes punëdhënësve dhe punonjësve,  promovimin e konceptit të punës së denjë (Decent Work), dhe forcimin e pozicionit të ndërmarrjeve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Bashkëpunimi realizohet në kuadër të projektit të përbashkët të OKB-së “Business Partnerships and Solutions for SDGs”, financuar nga Ambasada e Suedisë në Shqipëri dhe zbatuar nga UNDP, ILO, FAO dhe UNIDO.

Programi vjen në një moment kur ekonomia shqiptare po synon të përmirësojë pozicionin e saj në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, veçanërisht në sektorin tekstil‐këpucë. Përmirësimi i praktikave të punës nuk është vetëm domosdoshmëri sociale, por edhe element konkurrues në tregjet globale. Kur një ndërmarrje eksportuese është në gjendje të ofrojë produkte me cilësi të lartë, në kushte pune të sigurta, ajo fiton akses më të mirë në klientë ndërkombëtarë dhe partnerë biznesi.

Në këtë kuadër, institucionalizimi i programit SCORE nën drejtimin e AIDA‐s për të gjithë vendin do të mundësojë realizimin e efektit shkallë: më shumë kompan­i të përfshira, më shumë punonjës të përfituar dhe më shumë përfitime për ekonominë kombëtare – përmes rritjes së produktivitetit, rritjes së pagave, dhe përmirësimit të integrimit në tregjet ndërkombëtare.

Ndërmarrjet që operojnë në sektorin tekstil dhe këpucë janë të ftuara të aplikojnë për t’u përfshirë në programin SCORE, duke përfituar: trajnim dhe konsulencë të specializuar,
• certifikime ndërkombëtare, dhe asistencë për përmirësimin e praktikave të menaxhimit.

Me këtë marrëveshje, AIDA dhe ILO riafirmojnë angazhimin për ndërtimin e ndërmarrjeve konkurruese, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, në dobi të punonjësve dhe të ekonomisë shqiptare