Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE Marrëveshje bashkëpunimi për parkun ndërkufitar “Vjosa−Aoos”

 Marrëveshje bashkëpunimi për parkun ndërkufitar “Vjosa−Aoos”

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Athinë ku në fokus ishte projekti i parkut ndërkufitar “Vjosa−Aoos” dhe bashkëpunimi midis dy vendeve në programe për turizmin. Gjatë takimit me ministrin e Mjedisit dhe Energjisë, Kostas Skrekas, ministrja Kumbaro e informoi për hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe propozoi bashkëpunimin për parkun ndërkufitar mes dy vendeve. “Parku ndërkufitar Vjosa−Aoos do t’i jepte mbrojtje të plotë 272 kilometrave të lumit nga burimi në malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen në bregdetin tonë të Adriatikut, model unik i ruajtjes së biodiversitetit, pa dyshim simbol i fqinjësisë së mirë mes vendeve tona, me promovim të përbashkët dhe njëkohësisht me mundësi për një turizëm të qëndrueshëm”, tha Kumbaro. Së shpejti, kjo iniciativë e përbashkët mes dy vendeve do të zyrtarizohet përmes një ‘Memorandumi Mirëkuptimi’ mes dy ministrive dhe do të ngrihet grupi i përbashkët i punës për planin e menaxhimit dhe shpalljen park ndërkufitar. Ministrja Kumbaro pati një takim edhe me homologun grek, Vassilis Kikilias për nënshkrimin e fillimit të një programi të përbashkët pune mes dy ministrive. “Nisim me formimin e një komiteti me anëtarë nga Shqipëri e Greqia përmes të cilit organizojmë forumin teknik mbi turizmin në Tiranë, që i jep jetë promovimit të përbashkët të destinacioneve për tregjet e largëta, shkëmbimin e dijeve, bashkëpunim për pjesëmarrjet në panaire dhe evente të rëndësishme dhe sigurisht angazhime të koordinuara në institucione ndërkombëtare që nga Organizata Botërore e Turizmit dhe tek të gjitha iniciativat rajonale”, u shpreh Kumbaro. Gjatë vizitës në kryeqytetin grek, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u takua edhe me kryetarin e bashkisë Kostas Bakoyannis për të shkëmbyer përvoja mbi turizmin e qëndrueshëm dhe promovuar mundësi të reja e reciproke shkëmbimi mes dy vendeve, me Presidenten e Organizatës Kombëtare të Turizmit, Angela Gerekou dhe drejtues të shoqatave turistike greke mbi promovimin e Shqipërisë. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments