Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, ministria e Arsimit ka përcaktuar rregullat e veçanta për trajtimin e studentëve që do të ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë. Ligji, i cili të mërkurën hyri në fuqi, ka qenë për një kohë të gjatë objekt debati mes qeverisë, opozitës dhe studentëve, të cilët zhvilluan edhe protesta, përcakton se trajtim të veçantë do të përfitojnë vetëm ata studentë të cilët do të nënshkruajnë marrëveshje me institucionet publike, ndërsa ata që nuk firmosin do ti paguajnë vetë kostot e plota të studimeve. Ligji, i cili ka marrë formë zyrtare nuk ka parasysh vetëm ata studentë, të cilët nisin vitin e parë në “Mjekësi të Përgjithshme”, por edhe ata studentë që janë në proces mësimor duke filluar që nga viti i dytë e në vazhdim. Por për këtë kategori firmosja e marrëveshjes është opsionale. Trajtimi i veçantë përfshin punësimin me prioritet të studentit që ndjek programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë, si dhe përfitimin nga programet sociale të strehimit. Ndërsa punësimi me përparësi është nisma për t’i dhënë përparësi punësimi në institucionet e shërbimit shëndetësor në Shqipëri të studentëve që diplomohen në këtë program studimi dhe kanë nënshkruar marrëveshjen sipas përcaktimeve ligjore. Kategoritë përfituese nga trajtimi i veçantë Sipas ligjit, që publikohet nga rtsh.al, trajtim të veçantë përfiton kandidati që pranohet në programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë kur plotëson kushtet si më poshtë: a) plotëson deklaratën për përmbushjen e kushteve, përpara zhvillimit të testimit të detyruar për pranimin në këtë program studimi; b) nënshkruan marrëveshje para regjistrimit të tij si fitues në këtë program, e cila lidhet ndërmjet tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit të arsimit të lartë publik për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve për jo më pak se 5 (pesë) vjet në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë; c) pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5- vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare. Trajtim të veçantë do të përfitojnë edhe ata studentë të vitit të dytë deri në vitin e katërt akademik kur pranon përmbushjen e kushteve si më poshtë: a) nënshkruan marrëveshje para fillimit të vitit akademik përkatës dhe për të gjithë periudhën e kohëzgjatjes së studimeve, e cila lidhet ndërmjet tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit të arsimit të lartë publik për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve për jo më pak se 3 (tre) vjet në institucionet shëndetësore në Shqipëri; b) pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 3- vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit kandidati të tërheqë diplomën universitare. Ligji parashikon trajtim të veçantë edhe për studentët e vitit të pestë ose të gjashtë në këtë program kur pranon përmbushjen e kushteve si më poshtë: a) nënshkruan marrëveshje para fillimit të vitit akademik përkatës dhe për të gjithë periudhën e kohëzgjatjes së studimeve, e cila lidhet ndërmjet tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit të arsimit të lartë publik për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve për jo më pak se 2 (dy) vjet në institucionet shëndetësore në Shqipëri; b) pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë. RTSH
‘Marrëveshja 5- vjeçare’ me mjekët/ Punësim, strehim i siguruar
RELATED ARTICLES