Shqipëria ka regjistruar një kampion bote në ditën e parë të garës botërore të Bodybuilding-ut që po organizohet në Spanjë. Bëhet fjalë për sportistin nga Durrësi, Marjan Hoxhaj, i cili u shpall kampion bote (over all) në kategorinë Fitness “Men’s Physique Junior” për moshat U-20, njoftoi Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kampionati po zhvillohet në Santa Susanna të Barcelona-s në datat 1-5 nëntor. Ekipi kombëtar i fitness-it dhe bodybuilding-ut, i udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Rando Kukeli, është paraqitur me një numër rekord prej 14 sportistësh. Të gjithë konkurrentët fizikë shqiptarë, në kategoritë respektive, janë shumë cilësorë dhe synojnë medalje të radhës. Shqipëria mori pjesë po ashtu në kongresin e IFBB-së, ku u falënderua nga kreu i saj për punën e bërë duke përmendur edhe takimin e përzemërt dhe konstruktiv me presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli.