Në Livadhja të bashkisë Finiq u organizua një manifestim kulturor i 9 pakicave kombëtare, një veprimtari komplekse e organizuar në qendrën kulturore “Katina Papa” Ministria e Kulturës dhe Agjencia AJMMI në kuadër të promovimit të trashëgimisë dhe identiteteve kulturore në vendin tonë. Në këtë veprimtari merrnin pjesë zyrtarë të Institucionit të Komitetit për Pakicat Kombëtare, përfaqësues të prefekturës së Qarkut Vlorë, diplomatë të huaj të akredituar në vendin tone si zëvendësambasadorja e Greqisë në Tiranë Valia Pandarvani dhe konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Dimitris Zaharidhis, përfaqësues të pakicave greke, maqedonase, arumune (vlllahe), rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare, përfaqësues të Institucionit të Komisionerit Kundër Diskriminimit, artistë popullorë, intelektualë, banorë vendas, etj,. Sipas drejtuesit të Qendrës AJMMI, Shkëlqim Hajno, “Veprimtaria komplekse përfshiu një angazhimm intensiv dymujor dhe në sallat e kompleksit kulturor ”Katina Papa” u zhvillua një Konferencë kombëtare me fokus “Pakicat Kombëtare në Shqipëri dhe sfidat e ruajtjes së identitetit Kulturor” aktivitetete kulturore artistike dhe një minipanair me kulinarinë e pakicave greke nga fshatra të Finiqit. Kryetarja e Komitetit të Pakicave, Kostandina Bezhani u shpreh për ATSH-në se “një manifestim i tillë kulturor i pakicave kombëtare në Shqipëri ishte i pari i këtij lloji dhe përfshiu veç të tjerash një konferencë kombëtarë ku u prezantuan veçoritë e sotme të pakicave dhe sfidat më të cilat ato përballohen. Një ekspozitë e vlerave etnokulturore të minoritetit etnik të Dropullit dhe Pogonit, një koncert i pasur artistik me folkun, këngët e vallet e mrekullueshme të pakicave greke, si dhe një panair i kulinarisë tradicionale të amvisave të fshatrave të Bashkisë Finiq”. “Shqipëria është bërë më e pasur me kontributet dhe perlat e krijuara nga të gjitha minoritetet”, tha Bezhani. Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda e përshëndeti këtë veprimtari promovuese për vlerat e etnokulturës së pakicave në Shqipëri. Sipas kryebashkiakut të Finiqit, Kristo Kiço, “udhëtimi i minoriteteve pas viteve ‘90 është mjaft i vështirë. Ekzistenca e minorteve në shtetin shqiptar është një vlerë e shtuar, por duhet ta kuptojmë si një përcaktim nga historia”. Nënprefekti i Sarandës, Mirosh Birjani, i pranishëm në këto aktivitete, tha për ATSH-në: ”Në emër të Prefektit të Qarkut Vlorë, Flamur Mamaj përshëndes Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e një veprimtarie të tillë, e para e këtij lloji në vendin tonë dhe njëkohësisht edhe organizatën AJMMI për kurorëzimin me seriozitet të promovimit të vlerave të çmuara të minoriteteve në vendin tonë”. Në Shqipëri, sipas Ligjit Nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë” sot njihen këto pakica kombëtare: greke, maqedone, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.
https://ata.gov.al/2022/07/01/finiq-manifestim-kulturor-i-9-pakicave-kombetare/