Sulmuesi i Kombetares shqiptare Rej Manaj vijon të shkëlqejë në superligën turke. Futbollisti ka shënuar të dielën dhe golin e 14 në kampionat për skuadrën e tij të Sivassporit. Futbollisti i cili ka kërkesa të shumta si nga klubet eruopiane dhe nga ato nga Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas drejtuesve të klubit turk tashmë vlenë 15 milionë euro. Shifrën e bëri publike trajneri i klubit, Bülent Uygun, i cili tha se për ish sulmuesin e Barcelona B, ka interes nga Spanja dhe Franca.
“Ka interesim për Manajn nga Franca dhe Spanja. Po ashtu kanë kërkuar informacion për të dhe nga Arabia dhe Katari, ku gjithashtu ka skuadra që e duan. Në fundin e sezonit, ne do të ulemi dhe do të flasim me palët e interesuara dhe më pas do të vendosim. Ne kërkojmë 15 milionë euro për ta lënë, pasi ai është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe që ka kontratë me klubin. Pa dyshim që do të marrim një vendim në të mirë të të gjitha palëve”, tha trajneri.
Në Turqi, Manaj është në vendin e dytë sa i takon renditjes së golashënuesve. Vetëm Dzeko ka bërë më mirë se sulmuesi i Sivasspor, me boshnjakun që ka realizuar 18 gola, ndërkohë që në të njëjtën kuotë me 27-vjeçarin kuqezi është dhe Mauro Icardi dhe Thiam. Lidhur me golin e Manajt këtë fundjavë ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili duke ndarë videon e golit shkruan: “Shijojeni golin e radhës të sulmuesit lushnjar Rej Mamaj”.