Gjatë muajit dhjetor vajzat dhe gratë në Berat mund t’i drejtohen kabineteve të mamografisë për kryerjen e vizitave falas. Në spitalin rajonal të Beratit tashmë është instaluar edhe një mamografi e re, që garanton shërbime më cilësore dhe rezultate të sakta për gratë dhe vajzat.
Ministrja Koçiu u shpreh se “ekzaminimet e rregullta shpëtojnë jetë, duke mundësuar parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve”.
Gratë mund të kryejnë mamografinë falas nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00-20:00, ndërsa të shtunën, orari i vizitave është 09:00-14:00 në Spitalin Rajonal të Beratit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për herë të parë ka bërë të mundur që çdo muaj i vitit t’i kushtohet një qarku në Shqipëri, ku gratë mund të kryejnë mamografi pa referimin e mjekut dhe me orare të zgjatura.
Me një fjongo rozë, muaji tetor është kthyer në simbolin e ndërgjegjësimit për më shumë vëmendje dhe kontroll të gjirit për gra dhe burra, për të shpëtuar më shumë jetë.
Por, këtë vit Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur ta shtrijë fushatën e saj sensibilizuese edhe përgjatë muajve në vijim.
Kontrollet e rregullta janë thelbësore për luftën kundër kancerit.