Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë dhe gjatë dimrit është i mbuluar nga bora. Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a përrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit. Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit. Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike. Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit , e cila është 2287 m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të vet.