Ujërat e kristalta dhe plazhet e arta të Shqipërisë i kanë dhënë asaj titullin “Maldivet e Evropës”, shkruan Esther Marshall në të përditshmen britanike “MailOnline”.
“Vendi i bukur mesdhetar po shndërrohet shpejt në një nga destinacionet kryesore turistike të Evropës – pasi numri i vizitorëve ndërkombëtarë është rritur me 56% midis 2019 dhe 2023″, sipas Organizatës Botërore të Turizmit e Kombeve të Bashkuara.
Por për disa, vendi ballkanik apelon për një qëndrim më të gjatë sesa vetëm për pushime.
Kostoja e ulët e jetesës po e bën atë një opsion gjithnjë e më tërheqës për pensionistët britanikë.
“Shqipëria nuk është ende në radarin kryesor për shumë njerëz, por duhet të jetë. Është një vend i bukur – me një vijë bregdetare që rivalizon vendpushimet e Italisë ose Kroacisë. Dhe kur bëhet fjalë për koston e jetesës është e jashtëzakonshme”, tha për “MailOnline” Jennifer Stevens, redaktore ekzekutive në “International Living”.
Revista “International Living” ofron informacione rreth udhëtimit global, jetesës, daljes në pension, investimit dhe pasurive të paluajtshme.
“Ajo që shumë qytetarë të huaj mund të gjejnë këtu – është se ndërthurja e përballueshmërisë, motit të mirë dhe cilësisë së jetës në përgjithësi, dhe normave jashtëzakonisht të ulëta të taksave. Kjo tërheq me shumë emigrantët në përgjithësi”, tha Sara Alimehmeti, redaktore në “Magic Towns”, revista e këshillave të ekspertëve dhe njohurive lokale.
“Dhe muajt e fundit, kryesisht për qytetarët britanikë – frika e tyre lidhet me rritjen e taksave në BM”, shtoi ajo.
Për pensionistët britanikë të tunduar për t’iu bashkuar vendit, në udhëzuesin tonë renditen vendet më të mira për të jetuar në Shqipëri, si të merrni një vizë, kostot e strehimit dhe se si funksionon sistemi i kujdesit shëndetësor…