Vetëm pak kilometra larg Gramshit, ujëvara e Sotirës është një nga destinacionet më magjike për adhuruesit e natyrës. Ujëvara arrin rreth 100 metra lartësi dhe buron nga mali i Tomorrit.

Nga më të vegjlit te më të moshuarit, të gjithë mund të përjetojnë një aventurë në natyrë përmes rrugës që nis nga fshati Sotirë dhe të çon drejt ujëvarës që mban të njëjtin emër. Shtegu, që përshkruhet si i lehtë dhe i përballueshëm, zgjat rreth 4 kilometra. Turistët mund të planifikojnë piknik në lëndinën pranë ujëvarës, duke u shoqëruar nga tingulli i ujit dhe pamja e paprekur nga dora e njeriut.

Gjatë vjeshtës, gjë që e bën këtë vend edhe më magjepsës është ekspozimi i ngjyrave të kuqerremta që të shoqërojnë përgjatë gjithë shtegut. Në rrugë drejt ujëvarës hasen vizitorë vendas dhe të huaj, prindër me fëmijë, madje edhe me foshnje, të cilët shijojnë piknikun pranë ujëvarës, në një atmosferë qetësie dhe magjie natyrore.

Gramshi vitet e fundit është bërë një destinacion gjithëvjetor, falë promovimit të bukurive natyrore: nga kanioni i Holtës tek ujëvara e Sotirës, e më pas liqeni i Zi apo ai i Zambakëve.

Vitet e fundit, Bashkia e Gramshit, në bashkëpunim me institucionet qendrore, ka bërë disa investime në rrugë dhe infrastrukturë turistike, po ashtu është investuar dhe tek vendosja e tabelave, sinjalizimeve dhe funksionalizimi i shtigjeve turistike.