Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi sot se Franca do të përballet me vështirësi në muajt në vazhdim pasi “liria ka një kosto”, ndërsa qeveria e tij ka paralajmëruar se mund të ketë rritje të çmimeve të energjisë për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë, sindikatat e hodhën poshtë thirrjen e tij për sakrifica, duke thënë se punëtorët kishin nevojë për paga më të larta për të përballuar inflacionin në rritje. Macron tha se qytetarët po jetonin një seri krizash, duke përfshirë temperaturat ekstreme, zjarret dhe thatësirën e javëve të fundit, luftën në Ukrainë dhe ndërprerjet e tregtisë globale. Duke iu drejtuar takimit të parë të kabinetit që pas pushimit të verës, Macron tha se bota u përball me fundin e një bollëku të mallrave dhe burimeve dhe “të njëfarë shkujdesjeje”. “Liria ka një kosto”, tha Macron, duke u kërkuar ministrave të tij që të jenë ambiciozë dhe qytetarët francezë të pranonin masat e reja. “Betejat që duhet të luftojmë … do të fitohen vetëm përmes përpjekjeve tona”, shtoi ai. Në javët në vijim, qeveria e tij do të duhet të vendosë nëse do të rinovojë kufijtë e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit të cilave u përfundon afati në fund të vitit dhe të ulin çmimin e karburantit, të cilat së bashku kanë ndihmuar në mbajtjen e inflacionit francez më të ulët krahasuar me shumë vende te tjera evropiane, por që kanë rënduar mbi financat publike.https://ata.gov.al/2022/08/24/paris-macron-franca-tani-po-perballet-me-fundin-e-bollekut/
Macron: Franca tani po përballet me ‘fundin e bollëkut’
RELATED ARTICLES