Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz treguan dje dëshirën e tyre për t’i dhënë një shtysë të re tandemit franko-gjerman duke luftuar pas një sërë mosmarrëveshjesh dhe e gjitha kjo në sfondin e luftës në Ukrainë dhe reve të zeza që po mblidhen për shkak të gjendjes ekonomike të Evropës. ”Franca dhe Gjermania… përballojnë sfidat së bashku”, shkroi kancelari në Twitter pas takimit në Elysee duke përshëndetur “diskutimet shumë të mira dhe të rëndësishme mbi furnizimet e Evropës me energji, rritjen e çmimeve dhe projektet e përbashkëta të armatimit”. ”Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz diskutuan marrëdhëniet franko-gjermane në një frymë pune shumë të ngushtë, në një afat të mesëm dhe të gjatë”, u theksua gjithashtu në Elysee. ”Ata synojnë të ecin përpara në një axhendë të përbashkët të sovranitetit, riindustrializimit dhe dekarbonizimit në Evropë”, shtoi presidenca franceze në një deklaratë për shtyp. Dy liderët shkëmbyen mendime për më shumë se tre orë gjatë drekës, përfshirë edhe gjysmë ore kokë më kokë. Ata riafirmuan lidhjen e tyre për parimin e solidaritetit evropian në çështjet e energjisë si dhe dëshirën e tyre për të forcuar mbrojtjen evropiane dhe bashkëpunimin. ”Grupe pune do të krijohen për energjinë, mbrojtjen dhe inovacionin në mënyrë që të punojmë ngushtë për hapat e ardhshëm”, shtoi një këshilltar presidencial francez. Gjendja e marrëdhënieve dypalëshe kishte shkaktuar shumë komente ditët e fundit, veçanërisht nga pala franceze.https://ata.gov.al/2022/10/27/koment-macron-dhe-scholz-nje-marsh-me-shume-motorit-franko-gjerman/