Figura të njohura i kanë bërë homazh yllit francez të filmit, Alain Delon – i cili vdiq në shtëpinë e tij në Douchy – i rrethuar nga tre fëmijët dhe familja e tij, në moshën 88-vjeçare, sipas “The Independent”.
I konsideruar si “Brigitte Bardot mashkull”, Delon shpesh ka luajtur rolin e zemrave romantike në klasiket si, “Plein Soleil”, “Le Samouraï” dhe “Rocco and His Brothers”.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se – aktori luajti role legjendare dhe e bëri botën të ëndërronte – gjë që e forcoi figurën e tij si një ikonë kombëtare.
“Melankolik, popullor, i fshehtë, ai ishte më shumë se një yll: ai ishte një monument francez”, shkroi Macron në platformën X.
“Ne besojmë se ai ishte i pavdekshëm… talenti i tij, karizma e tij, atmosfera e tij e bënë atë të destinuar për një karrierë në Hollywood në një moshë të re, por ai zgjodhi Francën”, tha ne X ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati.
Në fillim të këtij viti, djali i tij Anthony tha se Delon ishte diagnostikuar me limfomë të qelizave B, një lloj kanceri.
“Fëmijët e tij, Alain Fabien, Anouchka, Anthony, si dhe qeni i tij Loubo, janë thellësisht të pikëlluar për të njoftuar vdekjen e babait të tyre”, tha familja e tij në një deklaratë.
Aktori kishte qenë në gjendje të keqe shëndetësore vitet e fundit, dhe kishte pësuar një goditje në 2019.
Gazeta “Le Parisian” e quajti Delon “një legjendë të kinemasë”, ndërsa “Liberation” e përshkroi atë si “një figurë udhëheqëse e kinemasë, simbol i mashkullorisë, aktor me karizëm të çmendur”.
“Mirupafshim mik. Një koleksion i mrekullueshëm filmash, një personalitet i jashtëzakonshëm dhe magjepsës. Bukuria nuk mjafton për të shpjeguar evolucionin e jashtëzakonshëm të talentit të tij. Ai ishte ylli i fundit. Samurai”, shkroi shkrimtari dhe regjisori francez Philippe Labro, pas lajmit për vdekjen e tij.
Me sy të mrekullueshëm blu, Delon nganjëherë përmendej si “Frank Sinatra francez” për pamjen e tij të bukur.